Haxhi Shejkh Vullnet Merja
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “E Ne nuk të kemi dërguar ty veçse mëshirë për mbarë botët.” (Sure Enbija, ajeti 103)
Kur vdes një njeri, të dashurit dhe të afërmit e tij hidhërohen. Ata organizojnë tubime e ceremoni në kujtim të tij. Mirëpo, kur kalojnë disa vite, njerëzit e harrojnë dhe e kujtojnë shumë rrallë ose asnjëherë.
Mirëpo, kur një njeri është mbartës dhe përçues i një mesazhi apo i një çështje shumë të rëndësishme, ai është i gjallë dhe kujtohet gjithmonë. Nëse mesazhi i tij është i përjetshëm, edhe kujtimi i tij është i përjetshëm. I tillë është edhe Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), sepse ai është njeriu më i mirë mbi sipërfaqen e tokës dhe përçuesi i Mesashit të përjetshëm, Kur’anin e Shenjtë.
Më 28 të muajit Safar, në çdo vit, ripërtërihet përmendja e vulës së Profetëve, më i miri i njerëzimit dhe mëshira për mbarë botët, Profeti Muhamed, i biri i Abdullahut dhe i Eminesë (Paqja qoftë mbi ta!), për të cilin Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij epokëbërës: “Vërtet, ti je në majën më të lartë të moralit.” (Sure Nexhm, ajeti 4).
Në këtë datë, pra me 28 Safar të viti 11 të hixhrit ka ndërruar jetë Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Kushdo që e studion jetën e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famijen e tij!) do të shohë se mëshira e tij gjendej në çdo anë të jetës së tij.
1- Ai ishte vetë mëshirë
Në historinë e të Dërguarve të Allahut lexojmë se:
a) Kombi i Nuhut (Paqja qoftë mbi të!) e mohuan dhe e përgënjështruan profetin e tyre dhe për këtë Allahu e shkatërroi atë popull me përmbytje.
b) Kombi i Hudit (Paqja qoftë mbi të!) e kundërshtuan profetin e tyre dhe për këtë Allahu i shkatërroi me erën e fortë e të ftohtë.
b) Kombi i Hudit (Paqja qoftë mbi të!) e kundërshtuan profetin e tyre dhe për këtë Allahu i shkatërroi me erën e fortë e të ftohtë. c) Kombi i Salihut (Paqja qoftë mbi të!) ishin kryeneçë e të pabindur ndaj profetit të tyre dhe për këtë Allahu i shkatërroi me britmën e zemërimit.
d) Kombi i Lutit (Paqja qoftë mbi të!) ishin arrogantë ndaj mësimeve të profetit të tyre dhe kryenin mëkatin e madh të homoseksualitetit e për këtë Allahu e shkatërroi vendbanimin e tyre duke e përmbysur.
Ndërsa kombi i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte ndryshe nga të tjerët. Megjithë kryeneçësinë, mosbesimin, fanatizmin e verbër, arrogancën, mëkatet dhe kundërshtimet e tyre, për ata nuk ndodhi as përmbytja, as era e fortë, as britma shkatërruese e as shkatërrimi i vendbanimeve. Përse nuk ndodhën këto? Ku qëndron sekreti? Transmetohet nga ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë se shkaku i mos ndëshkimit të kombit të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka burimin te thënia e Allahut të Madhëruar: “E Ne nuk të kemi dërguar ty veçse mëshirë për mbarë botët.” Ibn Abasi ka thënë: “Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është mëshirë për mbarë njerëzit. Ai që i beson atij dhe dëshmon vërtetësinë e tij, do të lumturohet. Ai që nuk i beson atij, do të goditet ashtu siç u goditën popujt me shkatërrim e mbytje.” (Tefsirul Kurtubij, vëllimi 11, faqe 350).
2- Mëshira e tij ndaj jobesimtarëve
Këtë e shohim në disa ndodhi të jetës së tij (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Prej tyre përmendim:
a) Në Mekë kur jobesimtarët kurejshit e goditën me gurë dhe e gjakosën, hazreti Hatixheja (Paqja qoftë mbi të!) i tha: U bëfshin kurban nëna ime dhe babai im për ty. Lëre gjakun të bjerë në tokë. Profeti i tha: “Kam frikë se do të zemërohet Zoti i tokës ndaj atyre që janë mbi të (tokën).” (Biharul Anuar, vëllimi 18, faqe 243.)
b) Në Taif kur njerëzit e përndoqën dhe e gjakosën Profetin, ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thoshte: “O Zoti im! Udhëzoje popullin tim sepse ata nuk e dinë.”
c) Banorët e Thakijf-it e nënvleftësuan dhe e lënduan. Te Profeti shkoi një melek (engjëll) që ta urdhëronte për t’i shkatërruar ata. Ndërsa Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhem bmi familjen e tij!) i tha: “Përkundrazi. Unë shpresoj që Allahu të nxjerrë nga shtyllat e tyre kurrizore dikënd që ta adhurojë Atë.”(Sahihu Muslim, vëllimi 5, faqe 181.)
d) Kur çliroi Mekën Sa’d ibn Ibadetu tha: “Sot është dita e thertores. Sot do të merren gratë robina. Profeti Muhamed (Paqa dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tha: “Sot është dita e mëshirës.” (Biharul Anuar, vëllimi 21, faqe 109).
3- Mëshira e tij ndaj ithtarëve të Librit (Ehli Kitabit)
Edhe këtë mëshirë të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e hasim në disa ndodhi të ndryshme historike ku prej tyre përmendim:
Një jahudij shkoi të merrte borxhin nga Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshi mbi të dhe mbi famljen e tij!) mirëpo Profeti nuk kishte para që t’i paguante në atë kohë. Jahudiu i tha: Unë nuk do të largohem nga ti derisa të më japësh borxhin. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i tha: “Unë do të qëndroj me ty.” Profeti qëndroi me të dhe fali drekën, ikindinë, akshamin dhe jacinë. Shokët e Profetit e kërcënuan dhe i thanë se do ta lëndonin. Profeti i shikoi ata (shokët) dhe u tha atyre: “Çfarë po bëni?” Ata i thanë: O i Dërguari i Allahut. Një jahudi të të burgosë ty? Profeti u tha: “Zoti im nuk më ka dërguar t’i bëj padrejtësi as atij që i kemi dhënë besën e as të tjerëve.” Kur zbardhi dita jahudiu tha: Dëshmoj se nuk Zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij. Paratë e mia i lë në Rrugën e Allahut. Betohem në Allahun. Me atë që të bëra ty desha të vërtetoja përshkrimin tënd në Teurat. Unë e kam lexuar përshkrimin tënd në Teurat ku thuhet: Muhamedi i biri i Abdullahut do lindi në Mekë dhe do të emigrojë ne Tajjibetu (Medine). Ai nuk është i ashpër, as i vrazhdë, as i bujshëm, as veprues i paturpësive e ndytësive, as fjalëkeq. Unë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe vërtet, ti je i Dërguari i Allahut. Kjo është pasuria ime. Gjyko për të me atë që ka zbritur Allahu.” (Biharul Anuar, vëllimi 16, faqe 217).
4- Mëshira e tij ndaj kafshëve
Në histori lexojmë:
Një nga shokët e Profetit, Abdurahman ibn Abdullah ka thënë: “Ishim me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në një udhëtim. Kur ai shkoi për të kryer nevojë, ne pamë një zog me dy të vegjlit e saj. Ne ia morëm të vegjlit. Zogu erdhi dhe filloi të rrahë krahët nga hidhërimi. Në ato momente erdhi i Dërguari i Allahut dhe tha: “Kush e ka hidhëruar këtë me të vegjlit e saj? Kthejani asaj të vegjlit e vet.”
5- Mëshira e tij ndaj besimtarëve
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “ Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Sure “Teube”, ajeti 128).
Prej dëshmive të kësaj mëshire përmendim:
1- Transmetohet se një burrë zezak që pastronte xhaminë ndërroi jetë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) pyeti se ku ndodhej ai pastrues. Atij i thanë se ka ndërruar jetë. Profeti u tha: “E përse nuk nuk më lajmëruat mua se ka ndërruar jetë? Më tregoni varrin e tij.” Profeti shkoi te varri i tij dhe i fali namazin e xhenazesë.
2- Një ditë Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e shpejtoi faljen e namazit. Të pranishmit e pyetën: A ndodhi ndonjë gjë në namaz? Profeti iu përgjigj: “A nuk e dëgjuat të qarën e fëmijës?”!
6- Mëshira e tij ndaj fëmijëve
Transmetohet nga Enesi se ka thënë: “Nuk kam parë asnjë njeri më të mëshirshëm ndaj fëmijëve se sa i Dërguari i Allahut.”
Transmetohet se Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thoshte: “Vajza në shtëpi (pra, prania e saj në shtëpi) është mëshirë.”
Gjithashtu ka thënë: “Duajini fëmijët tuaj dhe mëshirojini ata.”
Dhe: “Kush e puth fëmijën e tij, Allahu do t’i shënojë atij një mirësi (për këtë).”
Transmetohet se një burrë i tha Profetit: “Unë kam dhjetë fëmijë dhe nuk kam puthur asnjë prej tyre. Profeti i tha: “Ai që nuk i mëshiron ata (fëmijët) nuk mëshirohet.”
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është mëshirë edhe pas vdekjes së tij. Prandaj është detyrë e besimtarëve që ta kujtojnë dhe ta përshëndesin atë dhe t’i dërgojnë salavate.
Transmetohet nga Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Ai që vjen te unë për të më vizituar, unë do të jem ndërmjetësuesi i tij në Ditën e Kijametit.” (El Kafij i Kulejnit, vëllimi 4, faqe 548.)
Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se i ka thënë imam Huseinit (Paqja qoftë mbi të!): “O biri im! Kush më viziton mua kur jam i gjallë apo i vdekur, apo viziton babanë tënd, apo viziton vëllanë tënd, apo të viziton ty, është e drejta ime që unë ta vizitoj atë në Ditën e Kijametit dhe ta shpëtoj atë nga gjynahet e tij.” (El Kafij i Kulejnit, vëllimi 4, faqe 548.)
Transmetohet se dikush e ka pyetur imam Xhaferr Sadikun (Paqja qoftë mbi të!): “Çfarë shpërblimi ka ai që e viziton të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)?” Ai i është përgjigjur: “Shpërblimi për atë është Xhenneti.” (El Kafij i Kulejnit, vëllimi 4, faqe 548.)
Vizita e Profetit në momentet e vdekjes
Transmetohet nga Imam Bakir (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush e përfundon leximin e Kur’anit në Mekë, ai nuk do të vdesë derisa të shohë të Dërguarin e Allahut dhe të shohë vendbanimin e vet në Xhennet.”
Shefeati (ndërmjetësimi) i Profetit në Ditën e Kiametit
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shpirti Besnik (Xhebraili) më ka lajmëruar: “Kur Allahu i Vetëm e i Pashoq të ringjallë krijesat dhe të bashkojë të parët dhe të fundmit, do të sillet Xhehennemi që e drejtojnë një mijë frerë dhe çdo frerë është i kapur nga një mijë melekë të ashpër e të vrazhdë. Xhehennemi ka zhurmë goditjeje, zjarr të fortë e rënkim dhe nga ai del një nxehtësi e madhe. Nëse Allahu i Madhëruar nuk do ta vononte atë (Xhehennemin) në Ditën e Llogarisë, do t’i shkatërronte të gjtha krijesat (në këtë jetë). Pastaj, nga Xhehennemi do të dalë një qafë që do të rrethojë krijesat, të mirët dhe të këqijtë prej tyre. Çdo rob prej robëve të Allahut do të thërrasë në Ditën e Llogarisë: O Zot! Vetja ime, vetja ime. Kurse ti (o Profeti Muhamed) do të thuash: Ymmeti im, ymmeti im.” (El Kafij, vëllimi 8, faqe 312).
Me këtë përshkrim të profetit Muhamed mëshirë për mbarë botët, Allahu dëshiron nga besimtarët që ta marrin shembull atë në jetën e tyre dhe kjo mëshirë e Profetit Muhamed të kristalizohet në vetat e besimtarëve me qëllim që të jenë të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të tjerëve. Të jenë të ashpër ndaj armiqve të Allahut dhe armiqve të fesë së Tij, siç thotë Kur’ani i Shenjtë, në suren Fet’h, ajeti 29: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre…”
Allahu na mundësoftë të jemi prej zbatuesve të denjë të Sunnetit të Profetit Muhamed(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)në këtë jetë dhe na bashkoftë me atë në Jetën Tjetër!